2011-01-29 - 10:58:55
Imeri: Advokati ka përgjegjësi të madhe
Intervistë me advokatin e parë shqiptarë në kantonin Argau, Burim Imeri, i cili vjenë
nga Rainca e Preshevës.
"Tash për tash më pëlqen të gjej strategji për ti ndihmuar klientit në të drejtën penale, pa marrë parasysh se çfarë delikti ishte bërë. Puna është shumë serioze dhe duhet studiuar
rastin. Çdo rast, i ka gjëra e saja të veçanta"-na tha ndër të tjera për kosovaere.ch, z.Imeri.
Është kënaqësi që të bashkëbisedojmë me Ju Burim, sepse jeni advokati i parë shqiptarë në Argau të Zvicrës. Na thoni, pse zgjodhët të bëheni advokat?
Burim Imeri: Filimisht edhe mua më lejoni, që t'ju përshëndes Ju dhe gjithë lexuesit tuaj. Edhe mua më keni nderuar me këtë intervistë. Për ju kam dëgjuar dhe ju kam
parë, jeni gazetarë i mirë dhe publicist. Më gëzon fakti shumë, se edhe ju jeni nga Presheva. Nuk e kam zakon të flas për veten time, por po flasim si bashkëkombas, duke të respektuar
profesionin tënd dhe duke dhënë përgjegjësi profesionale në profesionin tim të nderuar. Nuk mundem të them, se që në vogëli, më ka shkuar mendja të bëhem jurist, por natyrisht, si çdo
fëmijë edhe unë kam pasur ëndrra të ndryshme, që kur të rritem të jem i suksesshëm. Para, se të jap thelbësoren e pyetjes suaj, nëse më lejohet të falënderoj prindërit e mijë, që kanë
dhënë gjithçka që është e mundur, që unë të jam këtu që jam dhe tërë famijen time, pa përjashtuar pastaj edhe miqtë e kështu me radhë. Kur isha në gjimnaz, aty kur duhej domosdo që të
vendosem për një profesion, më shumë anoja që të bëhe jurist, sepse e shihja, në Zvicër dita ditës rritej numri i bashkatdhetarëve tanë dhe natyrisht, se edhe problemet lindin, dashtë e
pa dashtë. Zvicra është shtet i ligjit dhe unë me familjen time, gjithmonë e kemi respektuar, qysh si fëmi kur kemi qenë, sepse prindërit, na udhëzonin shumë, që të jemi të vëmendshëm, të
shikojmë mirë, para se të veprojmë diçka, pastaj në këtë shtet mik të kombit tonë siç është Zvicra, duhet ta duam edhe dy herë më shumë, sepse na ka ndihmuar shumë dhe po na ndihmon, u
jemi mirënjohës edhe kombi ynë është shumë mirënjohës Zvicrës, prandaj Zvicra, për shumë shqiptarë, pavarësisht, se nga vjenë, quhet edhe si atdheu i dytë i tyre. Prandaj, zgjodha këtë
drejtim dhe me suksese e mbarova, që të veprojë drejt dhe vetëm sipas ligjit.
Sigurisht, se bashkatdhetarët tanë kanë shumë probleme. Na thoni, si po ndjehen ata, kur po komunikojnë me Ju, me që jeni shqiptarë?
Burim Imeri: Po, normal, se gëzohen, sepse u flas shqip dhe jam shqiptarë, por kjo nuk do të thotë, se nuk kanë besim tek juristët zviceranë, përkundrazi kanë shumë besim tek
zviceranët, por është gjuha ajo që të bashkon pak më shumë dhe kjo është e natyrshme. Në takimin e parë befasohen, kuptohet në anën pozitive dhe të gjithë më dëshirojnë shumë suksese.
Disa klientë, t'ju them sinqerisht në fillim nuk janë edhe aq të sigurt, duke aluduar, se a është një shqiptarë në gjendje me e zgjidh një problem juridikë, por pas disa minutash, janë të
bindur, se me të vërtet ky qenka avokat! Dhe janë të kënaqur të flasin për një problem që i preukupon ata në gjuhen shqipe, në gjuhën amtare.
Cilat janë problemet e tyre më të mëdha që ballafaqohen?
Burim Imeri: Fatkeqesisht shumica kanë probleme me sigurime sociale, ku është egzistenca në rrezikë, për shembull pas një lëndimi në vend të punës. Ja fillon një proces që mund
të zgjasë me vite. Është një sfidë serioze për klientin, familjen e tij dhe natyrisht edhe për advokatin. Kanë probleme të ndryshem, si çdo shoqëri, por ato mbeten në dokumente dhe
nuk munden të shpalosen, por ato dalin në gjygj dhe pastaj, kur ti vija koha, mbyllet dhe aq. Profesioni ynë është vërtetë i shenjtë, sepse ne punojmë vetëm sipas ligjit, se çka thotë
ligji dhe nuk ka përtej ligjit. Në Zvicër, është ligji dhe nuk ka më as më pak e as më shumë, vetëm sipas rregullores së drejtësisë.
Advokatët në Zvicër, janë të shtrenjtë, jeni edhe ju i shtrenjtë?
Burim Imeri: Haaaa. Pyetje interesante. Mirë, që më bëtë këtë pyetje, sepse vërtetë shpesh pyesin se sa mundet të jetë një orë e advokatit. Ndërsa, unë jam i punësuar te një zyre
advokatarie, por honorari im është mesatar, më me rëndësi është, që të zgjidhet problemi i klientit dhe mundohem shumë seriozisht, që të jetë i kënaqur klienti, por duke studiuar lëndën,
atëherë, i tregoj, se a mundemi të kemi suksese apo jo. Prandaj, ata që vijnë tek unë, të mos kenë frigë, sepse nuk është shtrenjtë, por në përgjithësi, kur fitohet një rast, harrohet se
sa ke paguar, por me rëndësi, se e ke fituar lëndën.
Në cilin drejtim juridik e ndjeni veten më të mirë, e kam fjalën, përshembull, për prishje të bashkëshortësisë, për vjedhje etj, etj?
Burim Imeri: Ndryshon kohë pas kohe. Tash për tash më pëlqen të gjej strategji për ti ndihmuar klientit në të drejtën penale, pa marrë parasysh se çfarë delikti ishte bërë.
Puna është shumë serioze dhe duhet studiuar rastin. Çdo rast, i ka gjëra e saja të veçanta.
Ju punoni me një advokat byro, me një advokat të huaj, si e kaloni?
Burim Imeri: Në këtë byro kam bërë edhe praktikën juridike. Bashkëpunimi ka qenë prej fillimit shum i mirë, natyrisht jam një ndihmë për te, kur unë i përcjell klientat tanë
shqiptarë, por edhe kilentat tanë, ndahen të kënaqur, sepse punohet me ritëm të sigurt dhe të qartë. Nuk ka të huaj apo vendas në Zvicër, këtu respektohesh njejtë, prandaj, Zvicra është
kjo që është, sepse secili duhet të punojë drejt dhe nëse punon, atëherë do të jesh i nderuar, po nuk punova, atëherë, nuk të donë as shtëpia jote e leje më një ndërrmarrje.
Njihni edhe advokatë të tjerë shqiptarë që jetojnë në Zvicër?
Burim Imeri: Personalisht nuk njoh, por kam dëgjuar për një avokat në kantonin e Cyrihut dhe më duhet patjetër ta takoj një ditë. I respektoj vëllezërit e një gjaku e kur dëgjoj
se kanë arritur suksese, kënaqem shumë.
E vizitoni shpesh Preshevën?
Burim Imeri: Jo edhe aq shpesh, jo pse nuk dua të shkojë, por puna është shumë e madhe. Një herë në vit shkoj edhe ate rregullisht verës, ku është shumë interesant, sepse
atëherë, shkojnë thuajse të gjithë bashkatdhetarët dhe shihemi mes veti, ka dasma e gazmende, kënaqem me traditat tona që i kemi shumë të pastërta e të pasura. E kam familjen e gjerë atje
në Raincë, Preshevë me rrethinë.
Cila lëndë për Ty ka qenë më e vështira gjatë studimeve?
Burim Imeri: Uhhhh, çka më kujtove. Lëndë të vështira nuk ka pasë për mua, sepse nuk e kam marrur me frigë, por kam mësuar dhe ia kam dalur me sukses.
Si ju kanë trajtuar zviceranët gjatë studimeve?
Burim Imeri: Shkëlqyeshëm. Ju thashë edhe më lartë, nuk ka këtu, se çka je, me rëndësi, a je punëtorë. Ka qenë vërtetë gjithnjë një atmosferë kolegiale, ku edhe shoku im i
ngusht, që e kam pasur prej gjimnazit, ka studiuar juridikun, por edhe gjatë rrugës sime të shkollës nuk ka pasur inate nga zviceranët.
A i kishe preferuar të rinjëve tanë që të kryejnë fakultetin Juridik në Zvicër?
Burim Imeri: Është një rrugë shumë e gjatë, pas fakultetit juridikë, duhet të mbahet një praktikë minimum një vit me një avokatur ose në gjykatë, pastaj duhet të përgaditen
provimet e avokaturës. Përgaditja zgjat gjashtë muaj deri një vit. Më në fund, duhet të jipen të gjitha provimet e avokaturës, dmth më në fund ia vlen, por është një rrugë me rreziqe, por
populli shqiptarë ka nevoj për përkrahje juridike, kështu që na nevojiten më shumë avokat.
Keni ndërmend të vazhdoni më tutje me shkollim?
Burim Imeri: Po duhet edhe nuk e përjashtoj të bëjë një temë diplome, dmth doktoratura, por ndoshta pas dy tre viteve, sepse njëherë kam ca plane tjera.
Me gjuhën shqipe nuk keni probleme edhe pse keni studiuar në gjuhën gjermane dhe si fëmijë keni ardhur në Zvicër?
Burim Imeri: Jo. Kam qenë vetëm katër vite në shkollë në Preshevë. Por, këtu në Zvicër kam përkthyer për gjyqe, policinë dhe në institutione tjera. Në shtëpi flasim shqip
natyrisht. Prindërit e mijë, që të dytë, pra babi dhe nëna, janë mësues të gjuhës shqipe.
Si e kaloni kohën e lirë?
Burim Imeri: Luaj me një ekip amatorë futboll dhe preferoj të lexoj romane të ndryshme, shqip dhe në gjuhë të huaj.
Është profesion i lodhshëm advokatoria?
Burim Imeri: Po. Advokati ka përgjegjësi të madhe. Klienti kërkon që advokati ti kushtoj shumë kohë dhe elan lëndës së tij. Është një punë që nuk ta lodh shpinden, por kokën dhe
të djersitë mirë, por të ushqen shpirtërisht, prandaj e punojë me shumë përkushtim.
Nëse do të ofrohet ndonjë ofertë që të kthehesh në Kosovë e të veprosh atje me profesionin tuaj, do të kishe pranuar?
Burim Imeri: Një pyetje paska e vështirë. Për të punuar si advokat në Kosovë, më nevojitet pak kohë për ti mësuar edhe ligjet e Kosovës, se normal ka disa dallime.
Puna e përgjithshme e advokatit bazohet me ligjet nacionale, kështu që unë jam specialist për ligjet e Zvicrës. Ka mundësi, nëse ka nevoj për të përmirësuar zbatimet e ligjit dhe vendimet
e gjyqit në Kosovë, për të dhënë një kontribut, sepse ligjet duhet zbatuar. Siç e dini edhe Ju, në Zvicër funksionon sistemi juridik, prej daljes së ligjit, deri te vendimi në gjyq dhe
zbatimi i vendimit.
Na thoni drejt, ju merr malli të jeni në Preshevë?
Burim Imeri: Po, natyrisht shpeshë. Atje kënaqem kur shkojë. Presheva është qytet i bukur dhe ka njerëz shumë të mirë, nuk po flas vetëm për Preshevë, por edhe për Raincën dhe
për të gjitha fshatrat për rreth. Por, kur jam në Preshevë, zemra më dhem për Kosovë, dua të shkojë edhe atje të pijë ujë, pastaj në Maqedoni dhe Mal të Zi e Shqipëri. Kam dëshirë të
udhëtojë shumë dhe kënaqem kur shoh, se po punohet. Kosova jonë po lulëzon, Shqipëria në NATO dhe presim që edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, një ditë, të gëzojnë të drejtat e tyre, e
të mos maltretohen, pse janë shqiptarë dhe pse flasim gjuhë tjetër dhe pse kemi zakone tjera. Një jetë e kemi dhe ta kalojmë si duhet.Kur dëgjoj lajme të këqija nga atje, tmerrësisht më
vjenë keq, e kur dëgjoj lajme të mira, kënaqem. Do doja, që një ditë, ligji i Zvicrës të jetë edhe në vendin tonë, qoftë në Preshevë, apo Kosovë, sepse, këtu si thotë ligji ashtu shkon,
nuk shkon përpara, pa e respektuar ligjin dhe ligji nuk njeh gjuhë, racë apo komb, ai vlenë për të gjithë. Lutem, që një ditë, të mos ketë luftëra, të ketë paqe në gjithë botën, sepse një
jetë e kemi dhe ta kalojmë mirë. Atje është papunësi e madhe, plus me probleme politike, por besoj, se do të rregullohet një ditë
Ju falënderojmë për këtë bashkëbisedim
Burim Imeri: Ishte kënaqësi. Punë të mbarë./Intervistoi: Dashim HEBIBI, Argau