Në Buchs të St.Gallenit-Zvicër, u përkujtuan 28 dëshmorët e UÇPMB-së (Fotoreportazh)

 

 

“Një herë në vit, familjet e dëshmorëve të UÇPMB-së, kanë mundësi të takohen në Akademinë përkujtimore, që po mbahet me vite të tëra në Zvicër, e vetmja përkujtimore për ata 28 dëshmorë, që dhanë jetën për të mirën e atdheut”.

Buchs, 28 maj 2016

 

Prej vitit të kaluar, që u mbajt Akademia Përkujtimore e UÇPMB-së në Winterthur të Zvicrës, me përkujdesje artistike nga SH.K.A “Dardania” me selinë e saj po në këtë qytet, ishte bërë me dije dhe kërkes nga Këshilli Organizativ, që kush ka mundësi të ndihmoj, që vitin tjetër Akademia të jetë edhe më e begatshme, e ka mundësinë që menjihere ta bëj ate. Por, fatkeqësisht, pak kush është afruar në Këshillin Organizativ, që ta ndihmoj në të gjitha forcat, që kjo përkujtimore të del si është më së miri, ndoshta me arsyen, se organizimi është i mirë, por pse atëherë, të mos vijnë më shumë mërgimtarë që ti nderojmë dëshmorët. Pyetje që mbetet në ndërgjegjen e secilit. Dikush e dinë që mbahet e nuk vjenë, e dikush, nuk e dinë që mbahet e ka pas dëshirë të jetë prezent, e dikush me arsye të tjera, sido që të jetë, këshilli organizativ, është betuar, se do të vazhdoj pa u ndalur edhe me vite e vite, që dëshmorët të përkujtohen, sepse kanë fjalët e shpirtit nga familjet e dëshmorëve, që jo rrallë herë, organizatorët i falënderojnë edhe me lot, se është e vetmja përkujtimore në diasporë për bijtë e tyre, baballarët e vëllezërit e tyre. Padyshim, se një numër më i madh i të pranishmëve, do të ishte bukuri dhe nder, por sido që të jetë, dita ditës, po shtohen të interesuarit për të marrur pjesë në këtë Akademi. Sivjet u bë një ndryshim i kohës së mbajtjes, herave të kaluara, mbahej të dielave në mesditë dhe ishte kërkuar nga shumë mërgimtarë, që të provohet të mbahet Akademia të shtunave në mbrëmje, se do të vijnë më shumë mërgimtarë dhe njëzëri, këshilli organizativ, e mbajti në mbrëmje dhe të shtunën.

Për punën dhe kontributin e madh më shumë se dy dekada, që ka bërë Shoqata “Atdheu” me qendrën e saj në Bad Ragaz, është i njoftuar i ri dhe i moshuar, prandaj, edhe sivjet me shumë kënaqësi kishte pranuar kërkesën nga këshilli organizativ, që të jap kontribut aty ku kërkohet. Prandaj, barrën kryesore të programit artistikë e kishte kjo Shoqatë, e cila prej sekondave të para e deri në sekondën e fundit të programit, tregoi edhe njëherë, se është punuar e punohet seriozisht dhe me përkushtim në këtë shoqatë. Mesazhi, qëllimi, realizimi i Akademisë Përkujtimore të UÇPMB-së, që mbahet me vite të tëra në Zvicër, prej një grupi shumë të vogël të atdhetarëve të Luginës së Preshevës e i ndihmuar edhe nga veprimtarë nga Kosova dhe Maqedonia, është shumë i qartë dhe nuk do komente: “Dëshmorët nuk duhet harruar, e nëse do ti harrojmë, atëherë, do të na dënoj perendia dhe historia”.

Të japësh vërejtje për një organizim dhe të mos japësh ide të reja, apo të kontribuosh, sado pak, përvoja e tregon, se nuk është e hijshme, apo ndodhë tek ata, që nuk munden të pajtohen, se diçka e mirë po bëhet.

Të gjithë musafirët, ishin ftuar, që Akademia të filloj në ora 20.00, por organizatorët, duke parë në shumë tubime se po ka vonesa të programit, e kishin caktuar këtë orarë, që të vijnë të gjithë dhe në ora 20.30 të filloj programi, pra të mos vonohen bashkatdhetarët dhe të flasin nëmes veti dhe të përshëndeten me familjet e dëshmorëve.
Skena, si edhe herave tjera, ishte e mbushur me fotot e dëshmorëve, 28 dëshmorë, 28 drita të pashueshme, 28 rreze, 28 shpresa, 28 emra, 28 familje, një qëllim, një betim, një rilindje.

Emocione, lotë, shihje tek shumë familje të dëshmorëve, e mezi pritshin të dëgjojnë diçka, për këta dëshmorë. Edhe sivjet, nga organizatorët, ishte vendosur, që vendet më të mira në sallë, ti kenë familjet e dëshmorëve. Veprimtarët nga Dukagjini, Drenica, Anamorava, Gostivari, Bujanoci, Presheva e Medvegja, pritshin emocionet e fillimit të kësaj Akademie.

Emblema e UÇK-së dhe ajo e UÇPMB-së, ishin në anën e majtë e në anën e djathtë, të skenës, flamuri kombëtarë shqiptarë, i Kosovës dhe ai i shtetit mikë të kombit tonë zviceranë. Nxënësit e Shoqëris Kulturo-Artistike „ Atdheu“, e hapën programin duke kënduar hymnin kombëtarë. Pas hymnit kombëtar, fëmijët e veshur me veshje kombëtare, të përmendur me emra dhe mbiemra dëshmorët nga moderatori, mbanin në duar fotot e dëshmorëve dhe vendoseshin në mes të skenës duke dhënë emocione të mëdha tek të gjithë të pranishmit. Moderarorja, zonjusha Valmire Avdiu nga rrethina e Kumanovës, mërgimtare e cila me gjuhën e saj rrjedhshëm të shqipes sonë, na dha të besojmë, se është një intelektuale e vërtet, dhe ashtu doli, zonjusha Avdiu vazhdon studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Bernit edhe ate në vitin e fundit. Pa asnjë përtes, kishte pranuar që ta drejtoj këtë Akademi, që të kontribuoj edhe ajo për dëshmorët e familjet e dëshmorëve. Pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe veprimtarin, njëherit kryetar i SHHLP Fazli Musliu përgjegjës i këshillit organizativ të hap Akademinë përkujtimore. Me të dalur në skenë z.Musliu, falënderoi të gjithë për pjesmarrje dhe përshëndeti familjet e dëshmorëve si dhe musafirët nga atdheu. Gjithashtu, z.Musliu, falënderoi edhe sponzorët, që ndihmuan të mbahet kjo akademi. Z.Musliu ndër të tjera potencoi: “Para se të bëj të hapur këtë Akademi Përkujtimore, përkulem me zemër e shpirt, para dëshmorëve të UÇPMB-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit, që kanë rënë në kohëra të ndryshme për të mirën e atdheut, për flamurin kuq e zi.
Ata po i shoh në flamurin tonë kuq e zi, aty ku është shqiponja jonë dykrenare.

Aty është Skenderbeu, aty është Ismail Qemajli, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Sali Çeku, vëllezërit Haradinaj, e shumë e shumë të tjerë. Qoftë kujtimi i përhershëm për gjithë dëshmorët. Ne si mërgimtarë dhe si pjesë e atdheut, lutemi, që edhe faktori politik në trevat tona në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë të jetë më unik, të punojmë më shumë, sepse herë do kurë, do na dënoj historia nëse nuk shkojmë ashtu si duhet. Na duhet të jemi më shumë bashkë dhe të punojmë bashkë. Shoqata humanitare Lugina e Preshevës, ku jamë kryetar i saj, bashkë me shoqatën humanitare Medvegja, jemi në bashkëpunim të shkëlqyer, pra, falënderoj edhe kryesinë time dhe anëtarët, por edhe kryesinë e shoqatës Medvegja dhe anëtarët e saj, që jemi bashkë dhe u tregojmë të gjithëve, se mundemi ne shqiptarët kur duam të jemi bashkë. Më lejoni të nderuar zonja dhe zotërinjë, që nga ky vend, të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar të mbahen akademitë, që me vite të tëra ka kontribuar për këtë Akademi. Nuk është e lehtë të organizohet, por nuk po afrohen vullnetmirë që për hirë të dëshmorëve, ti përkujtojmë ata, që dhanë jetën. Falënderojmë Shoqatën Atdheu në Badragaz, kryesinë dhe anëtarët e saj, që sivjet e morën përsipër me shumë vullnet organizimin. Perendia ia shpërbleftë.

Do të duhej, që të bashkohemi edhe më shumë, që kjo Akademi të jetë edhe më e fortë, sepse dëshmorët e meritojnë".
Qofshim të bashkuar gjithmonë nga Medvegja, Presheva, Bujanoci, Tetova, Gostivari, Prishtina, Peja, Gjakova, Drenica,Tirana, Ulqini e Malcia. Lavdi dëshmorëve të kombit, mbahuni të forta dhe krenare ju familje të dëshmorëve. Zoti e bekoftë popullin shqiptarë , SHBA-të, Zvicrën dhe gjithë miqtë e tjerë të kombit tonë. Ju falënderoj që të gjithëve që keni ardhur për ti nderuar dëshmorët. Të vazhdojmë me programin kushtuar dëshmorëve". Pas fjalës së z.Musliu, me një minutë heshtje u nderuarn dëshmorët e kombit. Në vazhdim të programit u dha edhe një një historik i shkurtërt të 28 dëshmorëve të UÇPMB-së, përgaditur nga publicisti Mr.sc.Dashnim Hebibi e të realizuar nga ana teknike nga Iljaz Beqiri nga Drenica. Pas këtij dokumentari të shkurtër, që u mirëprit nga të pranishmit, në skenë u ftua për një fjalë përshëndetëse edhe Shefket Hasani, i cili krisi pushkën i pari kundër regjimit të kryekriminelit Millosheviq dhe ai u përkul para dëshmorëve, përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi këshillin organizativ që nuk po ndalet së organizuari për çdo vjet një Akademi të dëshmorëve. Z.Hasani, nuk u largua nga skena, pa e puthur flamurin kuq e zi. Kuptohet, ishte me plot emocione, sa që të gjithë e duatrokitën për respekt.

Fjalën përshëndetëse e mori, kryetari i Shoqatës “Atdheu”, z.Xhevat Avdiu, i cili përshëndeti familjet e dëshmorëve dhe të gjithë të pranishmit, njëherit falënderoi këshillin organizativ, që ia ka besuar për sivjet punën, që të organizohet kjo Akademi me gjithë programin kulturo-artistikë nga shoqëria e kësaj shoqate. Z.Avdiu ndër të tjera potencoi, se kujtimi për dëshmorët do të jetë i përhershëm. Me dy këngë në skenë u paraqitën dy rapsodët e njohur, Isuf Rashiti dhe Mehmet Iseni Petrovci, ku i kënduan Luginës së Preshevës dhe gjithë dëshmorëve të kombit. Këto dy këngë, padyshim dhanë emocione tek të gjithë të pranishmit. Pas këtyre dy këngëve, fjala iu dha veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, z.Halit Naxhaku, i cili në çdo Akademi është prezent. Z.Naxhaku, vlerësoi lart punën e këshillit organizativ dhe ndër të tjera tha se, të mos harrohen dëshmorët dhe të jemi më të bashkuar e të ecim te para aty ku duhet të jemi. Fjalët e z.Naxhaku, si edhe herave të tjera, ishin të mirëpritura nga të gjithë, ku u duartrokitë nga të pranishmit.

Moderatorja, përmendi edhe shumë personalitete, që kanë marrur pjesë nëpër Akademi, që janë organizuar dhe telegrame të shumta që kanë ardhur për këtë organizim edhe ate për çdo vit. Motiv i madh ishte, kur z.Flamur Gashi, ish ambasador i Shqipërisë në Sarajevë, e tani këshilltar i presidentit të Shqipërisë z.Bujar Nishani, ishte prezent para ca viteve në Akademi, i cili kishte ardhur enkas nga Tirana, për të përcjellur përshëndetjet e ish kryeministrit Sali Berisha dhe ish kryetarit të Tiranës, z.Lulzim Basha, që në ate kohë ishte këshilltar.

Gjithashtu, u falënderuar edhe ish ambasadori i Shqipërisë në Bernë, z.Mehmet Elezi, ish Ministri i Diasporës në Republikën e Kosovës, z.Ibrahim Makolli, z.Sali Sefa konsull i Kosovës në Bernë e shumë e shumë personalitete të tjera, pa përjashtuar edhe musafirë nga atdheu. Me një recital shumë të bukur, kushtuar dëshmorëve në skenë dolën nxënëset Blerta, Shkurte dhe Gzime Shabani, ku shumë rrjedhshëm recituan vargje për dëshmorët.

Si edhe herave të tjera edhe kësaj here, kryetari i Shoqatës Humanitare „Medvegja“ me qendër në Fully të Valisit, z.Zenel Neziri, i cili edhe kësaj here kishte ardhur me veprimtarë nga Valisi, Lozana, Wintetura, Cyrihu e Gjeneva, për të përcjellur zërin e medvegjasëve, se jemi një. Z.Neziri, para të pranishmëve, përshëndeti familjet e dëshmorëve e të gjithë të pranishmit, pa harruar të përmend, se sivjet ka pritur që të jenë më shumë të pranishëm, për ti nderuar dëshmorët. Jo shpesh, na ka ndodhur të shohim nëpër organizime të ndryshme me mijëra të pranishëm, pse të mos jemi me mijëra sonte, ti nderojmë dëshmorët, që dhanë jetën. Njëherë në vit organizohet kjo Akademi, dhe besoj, se dëshmorët, e meritojnë, që të vijmë më shumë dhe ti përkujtojmë. Po shoh shumë veprimtarë këtu, si Riza Demaj, Bajram Mulaj, Agron Hoti, z.Naxhaku, Çeta, e të tjerë, por besoj, se herave të tjera, do të marrin pjesë edhe të tjerë, sepse e di, se secili është i vetëdijshëm, se kujtimi për dëshmorët është i shenjtë. Ne do të jemi edhe në të ardhmen bashkë me shoqatën si motër Lugina e Preshevës, nuk do të ndahemi, me këto mundësi që po kemi, po mundohemi, ti përkujtojmë dëshmorët dhe do ti kujtojmë gjithmonë. Vëllezër, të kthehemi nga Lugina e Preshevës, e sidomos nga Medvegja, sepse Medvegja ka nevojë të madhe për Shqipërinë, Kosovën dhe vëllezërit tanë në iliridë. Të jemi më të bashkuar e të jemi ashtu si do të duhej dhe siç duan dëshmorët tanë.

Këngëtari i muzikës folklorike Hekuran Rexhepi me grupin e tij si edhe herave tjera, u prezentua me tre pika muzikore. Kënga e parë deshmorët e Kosovës Lindore këndon Hekuran Rexhepi dhe këngëtarja e re Hysnije Rexhepi që e thërrasin si Fatime Sokoli, si edhe herave të tjera, këndoi një këngë, që të gjthë u emocionuan. Për herë të parë para publikut, këngëtari nga Presheva, z.Hekurani Rexhepi, u paraqit me lahut, duke i kënduar lapidarit. Hekuran Rexhepi, djali i tij dhe vajza, u duatrokitën, që në çdo përkujtimore janë të pranishëm me familjet e tyre, për ti kujtuar dëshmorët. Veprimtarit të madh të çështjes kombëtare z.Riza Demaj, njëherit koordinator i Shkollës plotësuese shqipe në kantonin Argau, iu dha fjala përshëndetëse, i cili kishte ardhur enkas për këtë akademi me disa miqë të tij, poashtu veprimtar, si z.Xun Çeta, Bajram Mulaj dhe Rexhep Salihaj kryetar i degës së AAK për Luzern.
Z.Demaj, përshëndeti të gjithë të pranishmit në emër të Lidhjes dhe Arsimtarëve Shqiptarë për kt.Argau, e në veçanti familjet e dëshmorëve dhe ndër të tjera shtoi: „ Edhe sonte kam ardhur me disa miqë dhe që të gjithë ju përshëndesin. Për çdo vjet jam munduar të jemi prezent në këtë Akademi që ti kujtojmë dëshmorët tanë. Dëshmorët do të kujtohen përjetësisht. Rroftë Shqipëria dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Bashkë dhe vetëm bashkë, ti dërgojmë fëmijët tanë në shkollat plotësuese shqipe dhe të ruajmë gjuhën tonë, flamurin tonë dhe traditat tona kudo që jemi. Lavdi dëshmorëve. :

SH.KA. „Atdheu“, vazhdoi programin e saj me dy valle, ku valltarët e kësaj shoqërie u paraqitën si është më së miri.Këshilli Organizativ, falënderoi edhe disa nga sponzorët, që ndihmuan të mbahet kjo Akademi, për shpenzime të sallës, e ca gjëra të tjera, si Shoqata Agimi, Avenches /Vd, Riad Bajrami, Wangs /Sg, Suat Sadiku, Lankvart /Sg,Vaid Beqiri, Hörn /Sg, Xhavit Sherifi, Buchs /Sg, Metzgerei Krasniqi, Flums /Sg. Ky këshill organizativ para të gjithëve, paraqiti edhe shumën e ndihmave, që të jenë sa më transparent, pra ishin grumbulluar 2.150.fr. Të gjithë sponzorët u falënderuan shumë për këtë ndihmë që i kanë bërë, e padyshim edhe kryesinë dhe gjithë anëtarët e Shoqatës „Atdheu“. Pas falënderimit për sponzorët, fjala iu dha zonjës, Hikmete Ukshini vajza e komandant Territ për një përshëndetje, e cila u paraqit me një poezi kushtuar babait të saj. Poezia ishte shumë emocionese dhe të gjithë të pranishmit e përcillnin fjalë pas fjale. Zonja Ukshini, falënderoi më pastaj këshillin organizativ, që po organizon këtë akademi dhe nuk po i harrojnë dëshmorët, por shpreson, se vitin tjetër, do të marrin pjesë edhe më shumë mërgimtarë. Pas fjalëve të zonjës Ukshini, u ftuan të gjithë familjet e dëshmorëve dhe veprimtarët që ishin prezent, të dalin në skenë, që disave ti ndahen mirënjohje dhe njëherit të bëjnë një foto kujtimi. Mirënjohje iu ndanë, sponzorëve, kryesisë së Shoqatës „Atdheu“ në Badragaz, moderatores, veprimtarit Agron Hoti dhe disa të tjerëve. Është për të vlerësuar këtë gjest, që këshilli organizativ, për çdo vjet ndanë mirënjohje, thuajse për çdo veprimtarë që merr pjesë, për ti nderuar dëshmorët. Mirënjohjet i ndau z.Zenel Neziri kryetar i Shoqatës Humanitare „Medvegja“ dhe z.Fazli Musliu kryetar i SHHLP. Sekretari i Shoqatës Lugina e Preshevës, z.Ferat Rashiti, qëndroi deri në fund të Akademis, duke u munduar, me çdo kusht, që të shkoj si duhet gjithçka, i ndihmuar nga veprimtarë të tjerë, si Nasir Rrsutemi, Venhar Musliu, Mumin Maliqi, etj. Krejt në fund, në emër të këshillit organizativ, z.Fazli Musliu,i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i ftuan, që për vitin tjetër, të afrohen edhe më shumë veprimtarë, që Akademitë tona të jenë edhe më madhështore, sepse vërtet dëshmorët e meritojnë, pra, afrohuni rreth këshillit organizativ që të dalim edhe më mirë. Lavdi dëshmorëve, perendia i bekoftë familjet e dëshmorëve, veprimtarët, invalidët e luftës, gjithë popullin shqiptarë, Zvicrën, SHBA dhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë. Qoftë kujtimi i përjetshëm për dëshmorët. Lavdi për gjithmonë. Mirupafshim në vitin 2017. Pas Akademis, këshilli organizativ, së bashku me kryesinë e Shoqatës „Atdheu“, shtruan edhe një darkë modeste në lokalin e kësaj shoqate për disa nga musafirët që kishin ardhur nga larg dhe u bashkëbisedua për shumë tema në të mirë të bëmirësisë. / Përgaditi: Dashnim Hebibi